Policia e Kosovës, ajo e Shqipërisë dhe strukturave kundër krimit në Mbretërinë e Bashkuar (National Crime Agency & Border Force), kanë zhvilluar një operacion të koduar ‘Marewood’.

Në operacionin në fjalë janë gjetur rreth 11 mijë euro të padeklaruara.

Sipas njoftimit të publikuar, aksioni ka rezultuar me sukses.

“Ky operacion policor ka rezultuar me sukses, ku javën e kaluar zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, kanë ndaluar një person tek i cili gjatë kontrollit i janë gjetur 9845 funta të padeklaruara në kartëmonedha të letrës, të cilat dogana, pas kalkulimit të kursit, ka konfirmuar se janë diku rreth 11385 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Bashkëpunime dhe operacione të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, pasi që qëllimi i tyre është goditja e transportit të parave, veçanërisht atyre të destinuara për financimin e aktivitetit kriminal (pastrim parash), parandalimi i trafikimit të armëve dhe drogës nëpërmjet vendkalimeve kufitare, si dhe frenimi i migracionit të paligjshëm, në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë”, thotë Policia.

 

Related Posts