Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër pas njoftimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar këtë të fundit për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje flagrante në punën e Kuvendit.
Në një reagim të publikuar, Vetëvendosje thekson se Gjykata jo vetëm që ka dalë jashtë juridiksionit të saj, por edhe ka shpikur rregulla të reja që nuk ekzistojnë në Kushtetutë apo në Rregulloren e Kuvendit. “Ky është devijim i rrezikshëm nga rendi kushtetues dhe një sinjal alarmi për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar”, thuhet në reagim.
Sipas Vetëvendosjes, pretendimi se grupi më i madh parlamentar mund të propozojë të njëjtin kandidat vetëm tre herë është një normë e shpikur pa asnjë bazë kushtetuese. “Ku shkruan kjo? Në Kushtetutë? Në Rregullore? Në ndonjë aktgjykim? Askund!”, theksohet në deklaratë.
Për më tepër, reagimi i VV-së e quan këtë ndërhyrje një “goditje ndaj sistemit demokratik”, duke akuzuar Gjykatën për veprim të motivuar politikisht dhe për përpjekje për të etiketuar Kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.
Vetëvendosje paralajmëron se nëse këto rregulla të reja përfshihen në aktgjykimin që pritet të shpallet, atëherë “Gjykata Kushtetuese do të ketë kaluar përtej mandatit të saj dhe do të jetë kthyer në një organ jashtëkushtetues”.