Pas hulumtimit për qendrat estetike, Kiks Kosova është “përmbytur” me ankesa nga dhjetëra vajza.

Në muajin prill të vitit 2025, prej kur shikuesit u tronditën nga publikimi i gjetjeve për injektimin e botox-it dhe filler-it ilegalisht në qendra estetike, ky emision u bë zëri i shumë vajzave.

Ato kanë treguar histori të frikshme, se si ëndrra për bukuri u shndërrua në makth nga një sallon i dyshimtë, i quajtur “Maj Treatments”.

“Maj Treatments” u bë ndër faqet më të klikuara në TikTok gjatë vitit 2024. Faqja, e reklamuar nga një influencere e njohur, shfaqte pamje të “ndërhyrjeve estetike” që premtonin fytyra perfekte pa operacion. Por  që pas ekranit fshihej një realitet i tmerrshëm.

Mbi 30 vajza kanë rrëfyer  se si u mashtruan, në sallonin ku punonin vetëm dy persona, njëra në recepsion, tjetra me gjilpërë në dorë, duke injektuar produkte të panjohura.

Por cili ishte rezultati i këtyre ndërhyrjeve? Vetëm fytyra të enjtura, dhimbje, trauma emocionale dhe deformime që nuk dihej si të shëroheshin.

Kur shpërthyen ankesat, stafi i qendrës nuk u përpoq as t’i ndihmonte klientet. Përkundrazi, u tall, i ofendoi dhe i bllokoi në çdo kanal komunikimi.

Pastaj në një njoftim zyrtar, “Maj Treatments” lajmëroi se terminet do të caktoheshin vetëm përmes Instagram-it, duke u fshehur gjithnjë e më shumë nga sytë e publikut.

Arroganca që tronditi klientet. Në vend që të jepte shpjegime mjekësore, qendra publikoi postime fyese ndaj vajzave të dëmtuara, duke i quajtur “analfabete” dhe “me probleme mendore”.

Një prej bisedave të siguruara nga Kiks Kosova tregon përbuzjen e tyre:

Këto përgjigje, të dhëna me gabime drejtshkrimore, ishin replika e vetme që vinte nga adresa e Maj Treatments.

Disa vajza udhëtuan nga Gjermania e Shqipëria vetëm për t’u trajtuar në këtë sallon. Të tjera kursyen me muaj për t’i paguar ndërhyrjet. E përfundimi i tyre ishte një traumë e përbashkët me fytyra të dëmtuara dhe asnjë informacion për produktin e injektuar në trupin e tyre.

Madje, kur disa i thanë se do të denonconin rastin, stafi i “Maj Treatments” iu përgjigj me kërcënime.

Biznes ky mirëpo pa gjurmë ligjore.

Kërkimet  e Kiks Kosovës zbuluan se “Maj Treatments” nuk është i regjistruar në ARBK. Lokacioni i qendrës është i paqartë, në faqe figuron vetëm emri i lagjes, pa adresë të saktë dhe pa asnjë pamje të sallonit.

 

Related Posts