Cristiano Ronaldo është nderuar me çmimin “Më i Madhi i të Gjitha Kohërave” në Galanë e Superligës Portugeze, e cila u mbajt mbrëmjen e së mërkurës në Porto.
Liga Portugeze e përshkroi yllin portugez si një “figurë të pashmangshme në sport dhe idhull për miliona njerëz”, duke njohur ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në futboll.
Ronaldo, legjenda e Real Madridit dhe Kombëtares së Portugalisë, i cili aktualisht luan për Al Nassr në Arabinë Saudite, mori çmimin përmes një videomesazhi, ku shprehu mirënjohjen për bashkëlojtarët dhe trajnerët që e kanë mbështetur gjatë karrierës.
“Jam mirënjohës për të gjithë shokët e mi të ekipit që më kanë ndihmuar gjatë gjithë karrierës sime të fitoj këtë trofe të mrekullueshëm. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë trajnerët dhe të gjithë ata që më kanë ndihmuar në këtë udhëtim për t’u bërë gjithnjë e më i mirë.”, tha 40-vjeçari.
Liga Portugeze vlerësoi etikën e punës së tij, konkurrencën dhe natyrën vendimtare, duke theksuar se trashëgimia e tij shkon përtej statistikave dhe e bën atë “më të madhin e të gjitha kohërave”.
Ronaldo ka shënuar 943 gola në karrierën e tij dhe mban rekordin për më shumë gola ndërkombëtarë se çdo lojtar tjetër në histori. Megjithatë, debati për titullin ‘GOAT’ vazhdon, me shumë që preferojnë legjendën e Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi.