Ky zbulim përfaqëson një nga provat më të forta deri më sot për mundësinë që planeti fqinj i Tokës mund të ketë strehuar dikur jetë.

Një mostër shkëmbi e marrë nga roboti Perseverance i NASA-s, nga një shkëmb me ngjyrë të kuqërremtë i formuar miliarda vite më parë nga sedimentet në fund të një liqeni, përmban shenja të mundshme të jetës së lashtë mikrobiale në Mars, sipas shkencëtarëve.

Megjithatë, mineralet e zbuluara në këtë mostër mund të jenë formuar edhe nga procese jo-biologjike, raporton Reuters.

Ky zbulim, bërë nga roveri me gjashtë rrota në kraterin Jezero, përfaqëson një nga provat më të forta deri më sot për mundësinë që planeti fqinj i Tokës mund të ketë strehuar dikur jetë.

Shkencëtari i misionit Perseverance, Joel Hurowitz nga Universiteti i Stony Brook – autor kryesor i studimit të publikuar në revistën Nature – tha se u identifikua një “bioshënjë e mundshme” në një shkëmb të formuar kur besohet se krateri Jezero ishte një mjedis i mbushur me ujë, rreth 3.2 deri në 3.8 miliardë vite më parë.

Drejtori i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, deklaroi në një konferencë për shtyp se shkencëtarët e agjencisë hapësinore kanë analizuar të dhënat për një vit dhe kanë arritur në përfundimin se: “Nuk mund të gjejmë një shpjegim tjetër, ndaj kjo shumë mirë mund të jetë prova më e qartë e jetës që kemi zbuluar ndonjëherë në Mars – gjë që është jashtëzakonisht emocionuese”.

NASA publikoi një imazh të shkëmbit, një gur i imët me ngjyrë të kuqërremtë, i cili mban forma unazore që ngjasojnë me njolla leopardi dhe shenja të errëta që ngjasojnë me fara lulëkuqe.

Sipas studiuesve, këto veçori mund të jenë prodhuar gjatë formimit të shkëmbit përmes reaksioneve kimike që përfshinin mikrobe.

Një “bioshënjë e mundshme” përkufizohet si një substancë ose strukturë që mund të ketë origjinë biologjike, por që kërkon të dhëna shtesë ose hulumtim të mëtejshëm, për të arritur në një përfundim për praninë apo mungesën e jetës.

Related Posts