Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka folur pas një aksioni simbolik të Rinisë Demokratike, të cilët e mbështjellën hyrjen e ndërtesës së komunës së Drenasit me një shirit të verdhë ku shkruhej “rrezik”, pas një audio-incizimi të kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci, ku dëgjohej teksa fliste për prona milionëshe.
Hajdari tha se shiritat e verdhë janë shenjë e qartë se ndërtesa e komunës së Drenasit është kthyer në vendngjarje të abuzimit, teksa tha se ky aksion është thirrje publike për drejtësi, transparencë dhe për fundin e një qeverisje me pazare.
“Dy ditë më herët, opinioni publik dhe komuna jonë u shokuan audio-incizim ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare me tokat e komunës si të ishin pronë personale e tij duke llogaritur miliona përfitime me pasurinë publike”.
“Ky skandal nuk është rastësi, por është fotografia e pastër e qeverisjes së tij. Kur populli numëron centët, kryetari numëron milionat. Ai që thirrej në qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Ky është një akt i paprecedentë, ky është një turp institucional”, tha Hajdari në konferencë për media.
Tutje, Hajdari tha se kanë të bëjnë me grabitje të planifikuar dhe jo me gabime, teksa tha se audio-incizimi është dëshmia se korrupsioni ka zënë rrënjë deri në zyrën e kryetarit.
“Nëse brenda pak minutave dëgjojmë milionat që ndërrojnë vend, imagjinoni sa pazare janë bërë përgjatë nëntë viteve të fundit, larg syve të qytetarëve. Nuk është se nuk kishte dyshime, por tash po e dëgjojmë me veshët tanë. Kjo është maja e ajsbergut”.
“Prandaj, sot ftoj organet e drejtësisë që të marrin menjëherë rastin në shqyrtim. Ta hetojnë deri në fund dhe t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën dhe besimin e qytetarëve”, tha Hajdari.
Hajdari e quajti kundërkandidatin e tij, Lladrovcin si “kampion i pazareve dhe i abuzimeve me prona publike”.
“Ai që veten e quante ‘kampion’, vërtetë po del të jetë kampion i pazareve dhe i abuzimeve me prona publike. Po del kampion i korrupsionit dhe jo i qytetarëve”, tha ai.
























