Në pjesën veriore të Kalifornisë është incizuar një dukuri e rrallë me fuqi të madhe shkatërruese – tornado i zjarrit. Kjo është një ndër shenjat më të reja të motit ekstrem që po e kërcënon perëndimin e ShBA-së.
Zjarret në natyrë në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara janë shkaktuar pas temperaturave rekorde e thatësisë ekstreme. Ndonëse fenomene të rralla, tornado të zjarrit janë parë edhe më herët viteve të fundit në ShBA, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Një vorbull rrotulluese me flakë e tym mund të formohet në rastet e motit ekstrem. Një rast i tillë ishte parë në Kaliforni në vitin 2016 dhe një tjetër në Missouri po të njëjtin vit.
Tornadot e zjarrit formohen, kur erërat që sillen ngrohen nga një zjarr në natyrë. Ato më pas ngrihen në qiell për të formuar një lloj shtylle të flakës e tymit që rrotullohen me shpejtësi të lartë.
Këto dukuri janë të rrezikshme për shkak të fuqisë tërheqëse që kanë. Në vitin 2018, një tornado zjarri në Kanada tërhoqi me vete një zorrë të zjarrfikësve.
Ndonëse mund të jenë edhe me përmasa të vogla, një tornado zjarri i vitit 2018 në Kaliforni ishte mbi 300 metra i gjerë dhe kishte erë me shpejtësi prej 265 kilometrash në orë. Temperatura më e lartë brenda stuhisë së rrezikshme kishte arritur në 1.480 gradë.
Me rritjen e numrit të zjarreve në natyrë, ekspertët thonë se mund të presim edhe shtim të tornadove të zjarrit.