Sistemet e barrierave të lëvizshme, të cilat përdoren për të rregulluar drejtimin e lëvizjes së automjeteve në korsitë e trafikut, po bëhen gjithnjë e më të njohura për shkak të ndikimit të tyre në rrjedhshmërinë dhe sigurinë e qarkullimit.

Ndërsa në kryeqytetin tonë ende po mendohet për devijimin aktiv të trafikut me ndihmën e sinjalistikës rrugore, në vende të tjera të botës ekziston tashmë mundësia për ndarje fizike në kohë reale të korsive të caktuara, dhe kjo me ndikim minimal në rrjedhën e trafikut.


E gjithë kjo është bërë e mundur falë sistemit amerikan që ofrohet nga kompani si Barrier Systems dhe Lindsay, e cila ofron një zgjidhje të plotë për ndryshimin e korsive përmes vendosjes së barrierave të lëvizshme. Një video e publikuar së fundmi që tregon funksionimin e një automjeti të posaçëm për zhvendosjen e barrierave është bërë virale shumë shpejt, duke mbledhur mbi 2.2 milionë shikime.

Shembulli konkret ka të bëjë me një urë në Auckland, e cila ka tetë korsi trafiku. Megjithatë, në varësi të kohës së ditës, drejtimi i trafikut në disa nga korsitë ndryshon. Këtë zgjidhje autoritetet e qytetit e përdorin që nga vitet 1990, dhe është veçanërisht e dobishme gjatë festave të Krishtlindjes, kur ka fluks më të madh trafiku.

Nevoja për instalimin e sistemit të barrierave të lëvizshme u paraqit pasi trafiku në urë arriti në 140 mijë automjete në ditë, shoqëruar me aksidente të shpeshta. Në fakt, që në vitet 1970 trafiku drejtohej vetëm përmes sinjalistikës me drita, gjë që çoi në shumë aksidente fatale. Me instalimin e këtij sistemi në vitet 1990, u bë e mundur rregullimi i katër korsive të brendshme, ku drejtimi i trafikut mund të ndryshohet në mënyrë të sigurt dhe shumë të shpejtë.

Në vitin 2009, sistemi u përmirësua me dy automjete të automatizuara, të cilat zhvendosin barrierat me peshë rreth 750 kg secila, duke lëvizur me një shpejtësi prej 16 km/h. Pavarësisht pjerrësisë dhe harkut të rrugës, e gjithë puna për zhvendosjen e barrierës në një segment 2.2 km të urës përfundon për më pak se 20 minuta.

Vlen të përmendet se zbatimi i këtij sistemi në vitin 2009 kushtoi rreth 6.6 milionë dollarë. Ura, e cila është ndërtuar 60 vite më parë dhe mirëmbahen rregullisht pa ndërprerje të mëdha trafiku, përshkohet çdo ditë nga rreth 172 mijë automjete.

Related Posts