Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se sezoni i ngrohjes qendrore në kryeqytet do të nisë tetë ditë më herët se zakonisht, si reagim ndaj temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit.

“Sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe përfundon më 15 prill, por sivjet, për shkak të kushteve atmosferike, po e nisim më herët”, ka njoftuar Rama.

Ai ka falënderuar Ndërmarrjen Publike “Termokos” dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për përgatitjet dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë mundësuar furnizim të qëndrueshëm me ngrohje për mbi 25 mijë familje dhe biznese në kryeqytet.

Rama u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë orëve të para të furnizimit, derisa ngrohja stabilizohet në të gjitha lagjet.

“Së bashku po sigurojmë një Prishtinë më të ngrohtë dhe më të sigurt këtë dimër”, ka theksuar ai.

Ky vendim vjen pas njoftimit të “Termokos”-it për fillimin zyrtar të sezonit ngrohës 2025/2026, që këtë vit nisi më 7 tetor në koordinim të plotë me KEK-un.

Related Posts