Kryegjyqtari në rastin e krerëve të UÇK-së, Charles Smith, që lexoi aktgjykimi dënues skandaloz, askund të bazuar, të ndërtuar në spekulime e përshtypje, nuk është i vetmi në atë panel që ka një histori të kontestuar. Një email konfirmon se ai, kur punonte në EULEX, kërkonte nga gjyqtarët që të dënohen pjesëtarë të UÇK-së dhe për këtë përdorte “arsye politike”. Gjyqtari tjetër, aspak miqësor e kontrovers me mbrojtjen, Guénaël Mettraux, ka një histori të fortë anshmërie, interesash e shkeljesh.
KEQPËRDORIMI I DËSHMITARIT: Më 26 qershor 2024, ish-ushtari i UÇK-së, Kurtesh Fondaj, kishte ditën e fundit të dëshmisë në gjyqin kundër krerëve të UÇK-së. Kur sapo nisi seanca, ai kërkoi një avokat, pasi konsideroi se një ditë më herët, nga pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux, ai ndjhehej se ishte keqpërdorur. “Unë dje pasdite i kam parë inicizimet që janë prezantuar nga gjykata, i kam përcjell me vëmendje dhe sidomos marrjen në pyetje nga gjyqtari, më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht mbështetje nga një avokat, se po mendoj se jam keqpërdorur.” – ka thënë ai. “Po kërkojë prej juve të ma ofroni ndihmën e një avokati.” – ka thënë ndër të tjera dëshmitari Fondaj. Por, kjo kërkesë nuk iu mor parasysh nga Trupi Gjykues. Nuk ishte hera e parë që ky gjyqtar tregonte një qasje armiqësore ndaj mbrojtjes dhe shërbehej me pyetje si të ishin të prokurorisë, pyetje spekuluese e orientuese – çka janë të ndaluara.
Pikërisht për pyetjet ndaj Fondajt kishte reaguar avokati i Jakup Krasniqit, Eiden Ellis. “Në qoftë se do të thosha se kjo është bërë me kërkesë të Jakup Krasniqit, pra se zoti Jakup Krasniqi e ka informuar Policinë Ushtarake dhe zotin Dobruna lidhur me vendimin për të arrestuar zotin Kuqi, ju keni ndonjë arsye për të kontestuar këtë?”, ishte pyetja e gjyqtarit. Menjëherë në këtë rast ngrihet në këmbë avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, duke e cilësuar këtë si një pyetje që i takon prokurorisë e jo panelit që ta bëjë. “E kundërshtoj këtë pyetje. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjë prokuroria, nuk mund ta bëjë trupi gjykues këtë pyetje. Mbi çfarë baze mund të përgjigjet dëshmitari e të thotë a e ka informuar Jakup Krasniqi Policinë Ushtarake.”, ishte fjala e Ellis. Gjyqtari zviceran tha se po e formulonte ndryshe, por sërish pyeti me pyetje të llojit “nëse”. “Nëse Bislim Zyrapi atëherë do të thoshte që vendimi i Shtabit të Përgjithshëm për të arrestuar zotin Kuqi u është përcjellë apo është komunikuar nga zoti Jakup Krasniqi, ke ndonjë arsye për ta kontestuar?”, pyeti ai. E sërish reagoi Ellis duke thënë se kjo është një pyetje sugjestive dhe se nuk është as ky dëshmitar që ka thënë ndonjëherë se Bislim Zyrapi e ka pohuar këtë. “Kjo është një pyetje tërësisht sugjestionuese. Nuk është një pyetje kjo për t’u bërë nga paneli. Nëse ka ndonjë dëshmitar që ka dëshmi për këtë, atëherë le ta thotë ky dëshmitar, por jo një person i cili nuk ka dijeni në lidhje me këtë. Ky dëshmitar nuk ka thënë asnjëherë që e ka thënë një gjë të tillë Bislim Zyrapi”, tha Ellis. “LE TË SPEKULOJMË PAK” Përvojë jo të mirë me këtë gjyqtar kishte edhe Hajrush Kurtaj, që ishte pjesë e UÇK-së në Kaçanik. Në fillim, gjyqtari zviceran e pyet zv/komandantin e Brigadës 162 se e kujt do të ishte përgjegjësia nëse një ushtar do të kishte kryer krime. “Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?”, pyeti gjyqtari Metro. “Nuk ka bërë askush krime të luftës, nuk muj me imagjinu se çka do të kishte ndodhur. Nuk ka pasur raste që ushtarët e Brigadës 162 kanë bërë krime, por janë forcat e okupatorit serb që kanë kryer ndaj qytetarëve në Kaçanik, në përgjithësi në krejt Kosovën”, u përgjigj ai. Në një tjetër moment gjatë seancës, gjyqtari Guénaël Mettraux e ballafaqon dëshmitarin Hajrush Kurtajn me një dokument të Brigadës 161. Këtu ai tenton në situatë hipotetike ta orientojë dëshmitarin nëse ka pasur raste të ngjashme në Brigadën të cilën ai e ka udhëhequr. “E pranoni, zotëri, se ajo që shohim këtu, të paktën për nga rastet e Brigadës 161, masat disiplinore janë marrë kundër anëtarëve të UÇK-së se e kanë lëshuar pozicionin dhe detyrën pa leje, e pranoni këtë?”, pyeti Metro. “E pranoj (por kjo është) për një brigadë krejt tjetër, dhe një dokument përpara vetes pa kurrfarë emri e mbiemri, vetëm shkruan komandanti i brigadës, nuk ka kurrfarë emri. Për mua nuk thotë asgjë ky vendim, edhe është i papranueshëm për mua”, u përgjigj Kurtaj. Këtu gjyqtari Guénaël Mettraux vazhdon me pyetje orientuese, të tipit “të supozojmë”. “Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që Brigada 161 vepronte ndryshe nga Brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e Brigadës 161, ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në Brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Mettraux. “Vetëm për Brigadën 162 muj me dëshmu që asnjë ushtarë nuk i ka lëshuar radhët e Brigadës 162, Agim Bajrami, të gjithë ata që i kanë marrë detyrat edhe i kanë kthyer. Për brigada tjera nuk është kompetencë e imja të komentoj apo supozoj, se çfarëdo që të them mundem mos me qenë real”, u përgjigj sërish Kurtaj. Në pyetjen e radhës, gjyqtari e pranon se po bën pyetje spekuluese, por e vazhdon këtë rutinë. “Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran. “Nuk ka pasur raste në brigadën time se gjatë komunikimit me ushtarët e mi gjithëherë kam bashkëbiseduar dhe kam thënë ata që lodhen, ata që kanë nevojë me vizitu familjet le t’i drejtohen brigadës. Andaj nuk kemi pasur asnjë rast të ballafaqohemi me kësi vendime”, deklaroi dëshmitari Kurtaj. Por, gjyqtari sërish nuk u zmbraps. Ai sërish e ktheu në pyetje hipotetike. “Më duket se nuk iu përgjigjët pyetjes. Ta zëmë se ekziston rasti kur nuk ka kërkuar leje. Nëse një prej ushtarëve të brigadës tuaj të ishte largu nga pozicioni, pa lejen tuaj, ju po thoni që nuk do të kishte pasur asnjë pasojë. Nuk do të ishte marrë asnjë masë?”, pyeti gjyqtari Metro. “Derisa nuk kam pasur asnjë rast nuk muj me spekulu, me supozu. Se po e shoh tash që edhe për ato gjërat që kam supozuar po duhet me dhënë përgjegjësi, nuk muj me supozu. Në brigadën time nuk ka pasur kësi raste”, deklaroi Hajrush Kurtaj.
Dënimi i UÇK-së dhe lobimi për votat e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës në ICC.
Po ky gjyqtar, duket se mendjen e ka pasur te karriera e vet. Teksa seancat po vazhdonin, në shkurt 2026 përfunduan dëshmitë dhe ishte koha të merrej vendimi, gjyqtari zviceran brengosej e angazhohej për diçka tjetër. Sikur ta kishte të paracaktuar vendimin dënues për krerët e UÇK-së. Ai ka kandiduar për t’u bërë pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC). Mettraux po kandidon nën ombrellën e Zvicrës dhe ka disa muaj që po lobon për të fituar votat e nevojshme. Në vend se të fokusohej në aktgjykim, ai shëtitej botës për karrierën e tij, për votat e tij. Mbi 50 shtete që janë anëtarë të ICC-së nuk e kanë njohur Kosovën. A është i lidhur aktgjykimi skandaloz dënues për krerët e UÇK-së me fushatën e tij për vota edhe nga shtete që punojnë kundër Kosovës? Një ish-koleg i Mettraux, Nicolas Guillou, që shërbeu si gjyqtar i procedurës paraprake në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ishte në mesin e 11 gjyqtarëve të ICC-së të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komiteti Këshilldhënës i Kandidimeve i Kuvendit të Shteteve Anëtare të ICC mbajti një mbledhje me 13 korrik 2026 për të shqyrtuar përmbushjen e kushteve të kandidatëve për gjyqtarë në ICC, në mesin e të cilëve edhe Mettraux. Komiteti e kishte shqyrtuar raportin preliminar të IOM për cilësinë morale të kandidatëve, por nuk mund të përcaktohet për “karaktetin moral” të kandidatëve sepse IOM (Mekanizmi i Pavarur Mbikëqyrës) nuk e kishte dorëzuar ende raportin përfundimtar, prandaj edhe nuk mund të bënte një vlerësim përfundimtar.
Në Hagë qarkullojnë zëra se, ne lidhje me kandidaturën e Guénaël Mettraux për gjyqtar në ICC, janë dorëzuar një numër raportesh konfidenciale për ngacmime seksuale dhe falsifikim të biografisë në ICTY. Mbetet të shihet se a janë të vërteta këto akuza dhe, nëse po, si do të ndikojnë ato në kandidaturën e tij.
ICC kishte hapur kanalin raportues konfidencial për të marrë raporte konfidenciale nga publiku lidhur me karakterin moral të kandidatëve për gjyqtarë. Raportet u pranuan deri më 30 qershor 2026. Votimi për kandidaturat do të zhvillohet gjatë punimeve të Kuvendit të shteteve anëtare të ICC, të cilat do të mbahen në Neë York, nga 7-17 dhjetor 2026./Lexo.al




















