Gashi: Populizmin po ua lë të tjerëve, unë ofroj punë e rezultate

Astrit Gashi, kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e LDK-së me numër 46, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e populizmit, por të besojnë tek përvoja dhe puna konkrete.

“Unë jam e kundërta. Zërin e lartë dhe zhurmën po ua lë populistëve që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje, madje as për problemet që vetë i kanë krijuar. Unë kam 35 vite përvojë në biznes dhe e di mirë se puna sistematike, pa zhurmë, por me shumë angazhim, sjell rezultate të prekshme. Sot qytetarit të Prishtinës i duhet pikërisht një zë i tillë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se votën e qytetarëve e sheh si obligim dhe fjalën e dhënë gjithmonë e çon deri në fund. Gashi ftoi qytetarët që të pyesin këdo me të cilin ka punuar, sepse sipas tij, ata do ta dëshmojnë seriozitetin dhe korrektësinë e tij.

Në fjalën e tij, kandidati i LDK-së theksoi edhe se angazhimi politik është i domosdoshëm për të ndrequr drejtimin që ka marrë Kosova. “Politika është fat”, kujtoi ai fjalët e Presidentit historik Ibrahim Rugova.

“LDK-ja mbetet zgjedhja e vetme për Kosovën. Ne nuk e shohim Kosovën si një tranzicion apo kalim të përkohshëm, por si një Republikë të përjetshme”, ka përfunduar Astrit Gashi.

Related Posts