Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për marrëdhëniet Kosovë–Serbi gjatë Forumit të Paqes në Paris të enjten, duke e cilësuar mosnjohjen e Kosovës nga Serbia si “problemin thelbësor” të rajonit.
Ai ka thënë se Ballkani duhet të zgjedhë mes përçarjes dhe bashkëpunimit
“Kosova është një problem sepse për ne është një shtet në të drejtën e vet. Por për Serbinë ose për vende të tjera nuk është. Ky është një problem i madh. Ose do të vazhdonim të rrinim me kokën pas, të ndiznim tensione dhe energji negative e të dëmtonim veten dhe ekonominë tonë — jemi tregje të vogla — ose të jemi bashkë. Alternativa tjetër ishte të mos binim dakord dhe të mos bashkëpunonim”, ka thënë Rama, transmeton TCH.
Ai shtoi se Evropa po përballet me të njëjtat sfida që dikur karakterizonin rajonin e Ballkanit.
“Evropa është ballkanizuar shumë. Mendoj që edhe Franca është ballkanizuar shumë — nuk po miratojnë dot një buxhet. Shihni Britaninë, është edhe më keq. Tani jemi ne të mirët, prandaj u them bëni paqe, mos kërcënoni, komunikoni, sepse vijmë nga ferri dhe ne jemi lajmëtarët”, theksoi ai.
Rama ka deklaruar se pavarësisht nëse të tjerët e dëgjojnë apo jo, Shqipëria do të vazhdojë të punojë për stabilitetin rajonal.
“Nëse bota do të bëhet më e mirë, do të themi se ne bëmë punën tonë. Do të na jepet një vend në parajsë si shqiptarë”, u shpreh ai me humor.
Kryeministri shqiptar vlerësoi edhe marrëdhëniet me Italinë dhe rolin e Bashkimit Evropian.
“Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Keni kryeministre një grua të shkëlqyer dhe të mahnitshme. Ajo nuk është e gjatë, por më besoni që kur merr fjalën është më e gjatë se unë. BE-ja është projekti më i madh politik që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë”, ka deklaruar Rama.
Në fund të fjalës së tij, Rama nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një bekim historik.
“Pas vitesh diktature gjakatare e varfërie, nëse BE-ja nuk do të ishte aty, do të kishim pasur të njëjtin fat si Afganistani apo kushdo tjetër. BE-ja është diçka që çdo evropian, përfshirë francezët, duhet ta gëzojnë si dhuratë nga etërit themelues — dhe që nuk duhet rrezikuar aspak”, përfundoi ai.
Në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.


























