Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Valmir Salihu dhe Florian Mitev, për vrasjen e Sokol Osmanit, vepër kjo e ndodhur më 7 korrik të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë, me datë 07.11.2024, rreth orës 14:00 i akuzuari Valmir Salihu, në Gjilan, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në parkingun e objektit banesor “Gëzimi 3”, përball lokalit berber shop “Donisi”, “me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, “e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O. (Sokol Osmani, shën.red.), nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit, në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V.S. (Valmir Salihu, shën.red.) dhe F.M. (Florian Mitev, shën.red.), përballë lokalit berber shop ‘Donisi’, aty i pandehuri e vëren të ndjerin O. (Osmani, shën.red.), i cili ishte duke hyrë në veturë”.

“Me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit ‘Zoraki’, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i afrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S. (Sokol Osmani, shën.red), në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, afrohet i pandehuri V. (Valmir Salihu, shën.red), e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. (Sokol Osmani, shën.red.) ndërron jetë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Siç ka bërë të ditur Prokuroria, Valmir Salihu, në kohë të papërcaktuar e deri me datë 12.11.2024, rreth orës 18:20 minuta, në Gjilan ka mbajt në pronësi në mënyrë të paautorizuar armë zjarri të prodhimit “Zoraki”, të cilën i pandehuri e dorëzon pasi arrestohet.

“Me këto veprime, i pandehuri V. S. (Valmir Salihu, shën.red.) ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, tha Prokuroria.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Florian Mitev, sipas Prokurorisë, nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin Valmir Salihu në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe përkundër asaj që ishte prezent kur Valmir Salihu kishte shtënë një herë me revole në të ndjerin Sokol Osmani, e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, “dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar, i lënë biçikletat, dalin së bashku, hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij”.

Gjithnjë sipas PTh në Gjilan, me këto veprime, Florian Mitev ka kryer veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, vepër e sanksionuar me Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi gjykues pas shtjellimit të të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarin Valmir Salihu, për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 25 vitesh burgim, ndërsa të akuzuarit Florian Mitev, për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve Valmir Salihu dhe Florian Mitev, derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Related Posts