Bota dhe komuniteti artistik u tronditën nga lajmi për vdekjen e papritur të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi.

Politikanë, artistë dhe kolegë shprehën ngushëllimet e tyre për familjen e këngëtarit, mes të cilëve ishte edhe Blero.

Gjatë ditës së sotme, ai, përmes një postimi në Instagram, deklaroi se ishte thellësisht i prekur nga kjo tragjedi.

Përveç fjalëve prekëse, Blero në një postim të dytë bëri thirrje publike që dita e nesërme të shpallet ditë zie.

“Shpati ishte një prej artistëve më të shquar të fillim viteve 2000. Një zë i veçantë dhe një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare. Shumë të rinj u rritën me këngët e tij. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndër vite dhe tronditjen e madhe që ka shkaktuar ndarja e tij e parakohshme, do të ishte njerëzore që dita e nesërme të shpallet ditë zie. Në nderim të jetës dhe veprës së tij. Shpallja e ditës së zisë do të ishte një akt respekti ndaj figurës së tij artistike dhe një mesazh solidariteti me familjen”, ka shkruar mes tjerash Blero në postimin e tij.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit ka lënë një boshllëk të madh në skenën muzikore, derisa artisti për vite me radhë kishte gdhendur emrin e tij me këngë që prekën zemrat e publikut.

Siç u raportua, Kasapi vdiq sot pas një arresti kardiak, duke lënë pas djalin e tij nga martesa me Selvije Jaon.

Related Posts