Deputetët e legjislaturës së lX e cila u shpërbë më 20 nëntor, nuk e miratuan asnjë ligj, pas konstituimit nuk u arrit të formohet Qeveria e te funksionalizohet krejtësisht Kuvendi.
Ata punuan pak e hiq por fituan shumë – 7 rroga të plota i morën nga Kuvendi. Disa edhe një pagë të muajit prill, 8 paga të plota, raporton RTV Dukagjini.
Nga 19 prilli e deri më 20 nëntor sa zgjati mandati i 120 deputetëve, buxhetit të Kosovës pagat dhe mëditjet e tyre, i kushtuan 1 milion e 515 mijë e 490 euro.
Këto të dhëna Dukagjini i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike të Kuvendit.
Mesatarisht një deputet, me pjesëmarrje pesë minutëshe në seancë, për 7 muaj i mori rreth 13 mijë euro.
Ndonëse mandatin e deputeti e morën më 20 prill, një pjesë e legjislaturës ishin deputet e një pjesë ishin pjesë e Qeverisë, gjë që bëri që në listën e pagave të jenë 50 deputetë, që nuk mbetën pa një pagë të plotë, mbi 95 mijë euro gjithsej.
Por, muaji maj në kontot e 120 deputetëve i solli pagat e plota, 1859 euro pagën bazë, dhe shtesat varësisht prej përvojës.
Gati 235 mijë euro paga u ekzekutuan në muajin maj.
Edhe në qershor kosto për 120 deputetët nuk ndryshoi shumë, të gjithë së bashku i morën rreth 200 mijë euro.
Edhe për muajt, korrik, gusht e shtator, shuma e paguar për çdo muaj, për pagat e 120 deputetëve silelt tek vlera 200 mijë euro.
Për udhëtime jashtë shtetit, shuma e paguar është simbolike. 588 euro mëditje për udhëtime në Londër dhe Gjermani u paguan për tre deputetë.
Për udhëtimin në Londër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputeti serb, Nenad Rashiq u paguan nga 234 euro.
Ndërkaq për udhëtimin zyrtar në Gjermani, Emilija Redzepi mori 120 euro mëditje.
Megjithëse, legjislatura e lX për krejt çka do të mbahet ne mend është kryesisht bllokada e gjatë për muaj rresht, asnjë deputet i saj nuk hoqi dorë nga paga.
Bllokada e parë e më e gjata erdhi për emrin e kryetarit të Kuvendit pastaj për nënkryetarët e komuniteteve dhe krejt në fudn u dështua dy herë të votohet qeverinë, një herë Albin Kurti e pastaj edhe mandatari i dytë, Glauk Konjufca.
Si rrjedhojë e kësaj, me dekret Presidentja Osmani me 20 nëntor e shpërndau legjislaturën që nuk e miratoi asnjë ligj, duke i shpallur zgjedhjet e parakohshme në fund të vitit.



































