Këngëtari Vedat Ademi ishte i ftuar në episodin e fundit të “The Dalina Show” në Andale Media, ku foli sinqerisht për rikthimin e tij të mundshëm në Shqipëri, jetën mes dy vendeve dhe të ardhmen e djemve të tij.
Gjatë bisedës, ai pranoi se jeton shpesh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë dhe ndonjëherë lodhet prej kësaj të fundit:
“Në Shqipëri unë kaloj gjysmën e vitit, por kur kaloj periudha të gjata lodhem pak. Jam pak i dyzuar, por në biseda tona të shpeshta themi që do kthehemi.”
Dalina e pyeti drejtpërdrejt nëse Shqipëria është vendi i duhur për Erenikun e vogël dhe “Thunder”-in, pulën e djalit të vogël e të ndjeshëm të Vedatit, i cili ka një dashuri të madhe për natyrën dhe kafshët. Vedati u përgjigj pa hezituar:
“Jo. E kam të vështirë ta them, por jo. Në kohën që po jetojmë është goxha e vështirë për fëmijët. Dhuna është goxha e pranishme, nëse flasim me dëshirën se a dua unë të kthehem, mua shpirti im më fle këtu, unë s’mund të bëhem kurrë as amerikan as gjerman, por për të ardhmen e fëmijëve, atje [në SHBA] është fokusi.”
Vedati shpjegoi se, edhe pse e ndien Shqipërinë si shtëpinë e tij të vërtetë, realiteti shoqëror dhe sfidat me të cilat përballen fëmijët e bëjnë të vështirë marrjen e një vendimi të plotë për t’u kthyer përfundimisht.
Vedat Ademi dhe bashkëshortja e tij u larguan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pothuajse një dekadë më parë, pasi fituan lotarinë amerikane. Atje, çifti jeton së bashku me dy djemtë e tyre, Jonin dhe Erenikun.



























