Paris Saint-Germain ka regjistruar një tjetër fitore të pastër në Ligue 1, duke mposhtur Rennes me rezultat 5-0 në “Parc des Princes”, në një ndeshje ku skuadra e Luis Enriques kontrolloi çdo fazë të lojës dhe krijoi një numër të madh rastesh.
PSG e hapi ndeshjen me presion të lartë, ndërsa goli i parë erdhi në minutën e 28-të. Khvicha Kvaratskhelia, i frymëzuar gjatë gjithë takimit, gjeti hapësirë në skaj të zonës dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi topin në cepin e poshtëm të majtë për 1-0.
Pak sekonda më herët, Rennes kishte rrezikuar me një goditje të Esteban Lepaul, e cila u ndal në shtyllën e majtë.
Dominimi i PSG-së u shpërblye sërish në minutën e 39-të, kur Senny Mayulu u gjend i lirë në zonë pas një pasimi të Joao Neves. Sulmuesi i ri nuk gaboi përballë portierit dhe shënoi golin e dytë për kampionët francezë (2-0).
Në pjesën e dytë, PSG vazhdoi të krijonte rrezik para portës kundërshtare. Senny Mayulu goditi traversën në minutën e 49-të, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, Kvaratskhelia provoi për herë të dytë, por Samba bëri një pritje të shkëlqyer për ta mbajtur ekipin e tij në lojë.
Edhe Bradley Barcola pati dy mundësi të pastra shënimi në minutat 58 dhe 72, por portieri i Rennes ishte i pakalueshëm.
Goli i tretë erdhi natyrshëm në minutën e 67-të. Senny Mayulu asistoi sërish, ndërsa Kvaratskhelia me një vole spektakolare nga distanca e dërgoi topin drejt e në trekëndësh për 3-0.
Për rezultatin përfundimtar të takimit u përkujdesën Ibrahim Mbaye i cili realizoi për 4-0 në minutën e 88-të dhe Goncalo Ramos për 5-0 në minutën e 90-të.
Me këtë fitore PSG-ja shkon në kuotën e 33 pikëve dhe mban pozitën e dytë në tabelë me një më pak se Lens që është lider me 34 sosh.




























