
Instituti për Aksion Afirmativ ka mbajtur të mërkurën një aksion simbolik pranë zyrave të Inspektoratit Qendror të Punës, duke ngritur shqetësimin për vazhdimin e rasteve të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës dhe, sipas tyre, mungesën e masave të mjaftueshme për rritjen e sigurisë në vendpunishte.
Në këtë aksion, Lisjan Perolli nga Instituti për Aksion Afirmativ tha se siguria e punëtorëve nuk ka qenë prioritet i institucioneve përgjatë viteve të fundit, ndërsa numri i viktimave, sipas tij, dëshmon se problemi është shndërruar në fenomen.
“Sot jemi para Inspektoratit Qendror të Punës, i cili është institucion që tregon më së miri se qysh ky pushtet edhe kjo qeveri e ka trajtuar punëtorin përgjatë këtyre tri viteve. Siguria e jetës së punëtorëve nuk ka qenë asnjëherë synim dhe në të njëjtën kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap i rëndësishëm që e ka trajtuar këtë çështje, e cila është shndërruar në fenomen”, tha Perolli.
Perolli tha se vetëm gjatë vitit 2026, 20 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Ai përmendi edhe rastin e fundit në Zubin Potok, ku sipas tij, jetën e ka humbur një 27-vjeçar.
“Dje një punëtor e humbi jetën në vendin e punës në Zubin Potok, një 27-vjeçar. Është punëtori i 20-të që vetëm në vitin 2026 e ka humbur jetën. Pra, punëtori i 20-të. Prej vitit 2021 deri në vitin 2026, 99 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të rrezikshmërisë në vendpunishte”, thotë ai.
Ai kritikoi qasjen e institucioneve, duke thënë se gjatë viteve të fundit fokusi kryesor i Qeverisë ka qenë te rritja e numrit të inspektorëve, por sipas tij, kjo nuk është realizuar në përmasat e premtuara.
“Edhe ne, të vetmen gjë që kemi dëgjuar prej qeverisë përgjatë këtyre viteve është inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve. Herë thanë që inspektorët kanë me u rritë në numër në 400, pastaj thanë kanë me u dyfishuar, pastaj thanë kanë me u trefishuar, edhe si rrjedhojë në zgjedhjet e fundit thanë që numri i inspektorëve ka me mbërritur në 200. Por përgjatë krejt këtyre viteve, numri ka mbetur po i njëjtë, pak mbi 50”, thekson ai.
Sipas Perollit, rritja e numrit të inspektimeve është e rëndësishme, por nuk mund të jetë e vetmja masë për parandalimin e fataliteteve në vendin e punës.
“Që të jemi të qartë, inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve është shumë e rëndësishme, ama është edhe e pamjaftueshme. Viti i kaluar ka shënuar rekord për vdekjet e punëtorëve — 37 punëtorë kanë vdekur — por në të njëjtën kohë është rritur tepër shumë numri i inspektimeve në vendpunishte. Kjo tregon që është e pamjaftueshme me pasë synim vetëm inspektimin edhe vetëm Inspektoratin e Punës”, tha ai.
Instituti për Aksion Afirmativ kërkoi që institucionet të ndërtojnë mekanizma të rinj për parandalimin e aksidenteve dhe fataliteteve në vendin e punës. Perolli tha se këto mekanizma duhet të përfshijnë edhe komunat në kontrollin e vazhdueshëm të vendeve të punës.
“Çka duhet me ndodhur tash është shumë e rëndësishme: E para: Synimi i qeverisë do të duhej me qenë që të ndërtojë mekanizma të rinj, përmes të cilëve e preventon fatalitetin në vendin e punës, e rrit sigurinë edhe i parandalon lëndimet. E dyta: Këta mekanizma kishin dashur me bërë përgjegjëse edhe komunën në një sens, sepse kontrolli i vendpunishteve dhe kontrolli i vendeve të punës do të duhej me qenë i ndodhur në baza ditore”, tha tutje ai.
Perolli tha se numri i madh i bizneseve dhe punëtorëve në Kosovë e bën të pamundur që vetëm Inspektorati i Punës, me numrin aktual të inspektorëve, të sigurojë mbikëqyrje të vazhdueshme në të gjitha vendet e punës.
“Për momentin i kemi mbi 50,000 biznese aktive në Kosovë e diku rreth 400,000 punëtorë. Pra, për kaq inspektorë sa i kemi, i bie diku mbi 700 punëtorë me qenë nën mbikëqyrjen e një inspektori. Është e pamundur fizikisht që të kontrollohen të gjithë”, u shpreh ai.
Në fund, ai tha se ndryshimi kryesor duhet të nisë nga mënyra se si institucionet e përcaktojnë prioritetin e tyre, duke e vendosur punëtorin dhe sigurinë e tij në qendër të politikave.
“Mbi të gjitha, që të ndodhin këta mekanizma të rinj, synimi i qeverisë duhet me ndryshuar. Ai synim duhet me qenë punëtori. Sot punëtori frikësohet kur zgjohet nga gjumi për me dalë në punë, sepse potencialisht mundet me humbur jetën. Edhe kjo duhet me ndryshuar. Secila prej këtyre vdekjeve, prej këtyre 20-ve që i shënuam simbolikisht tek ky institucion, kanë mundur të jenë të parandalueshme po t’i kishin marrë masat rreth sigurisë në vendin e punës”, theksoi ai.
Perolli e konsideroi përgjegjësi të institucioneve marrjen e masave konkrete për përmirësimin e sigurisë në vendin e punës, duke kritikuar edhe Qeverinë për vazhdimin e trendit të fataliteteve.
“Është përgjegjësi e institucioneve që këtë gjë ta rregullojnë edhe është përgjegjësi sidomos e kësaj qeverisjeje, e cila ka ardhur duke pretenduar njëfarë ndryshimi mbi trendin, e fatkeqësia është që trendi po vazhdon të jetë në rritje”, shtoi ai.



















