E ardhmja e Vinicius Junior-it te Real Madridi vazhdon të jetë e paqartë, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të lojtarit për përkushtimin e tij ndaj klubit madrilen.
Sipas medieve spanjolle, Vinicius kërkon një pagë shumë të lartë dhe një bonus nënshkrimi, kërkesa që bien ndesh me politikën aktuale financiare të Real Madridit, i cili po tregohet i kujdesshëm për të shmangur teprimet ekonomike me pasoja afatgjata.
Edhe pse në dukje është vetëm çështje kohe për arritjen e një marrëveshjeje, drejtuesit e klubit në “Santiago Bernabeu” nuk e kanë përjashtuar plotësisht mundësinë e largimit të Viniciusit, në rast se kushtet e tij nuk përmbushen.
“Më është thënë se kontrata e Vinicius është rinovuar dhe se nuk do të njoftohet për disa javë apo muaj. Është një marrëveshje e kryer dhe do të bëhet publike kur të vijë koha e duhur. Ai hoqi dorë nga bonusi i nënshkrimit sepse klubi nuk e pranoi. Ajo që Real Madridi nuk do ta bëjë është të humbasë mundësinë për të shitur një lojtar të nivelit të lartë”, ka shkruar gazetari i njohur Eduardo Inda.
Inda shtoi gjithashtu se nëse Vinicius largohet, Real Madridi ka gati “Planin B”, i cili është sulmuesi i Athletic Club, Nico Williams.
“Real Madridi po shqyrton nënshkrimin e një lojtari që ka qenë madrilen që nga lindja: Nico Williams. Ai gjithmonë ka dashur të luajë për Real Madridin. Është madrilen në zemër. Informacioni im është se Vinicius ka rinovuar kontratën dhe nëse largohet, një lojtar që klubi e pëlqen shumë është Nico Williams,” u shpreh Inda.
Nico Williams, i cili së fundmi refuzoi një ofertë nga FC Barcelona për të vazhduar me Athletic Club-in, shihet si një profil ideal për të zëvendësuar Viniciusin në rast të një largimi të bujshëm nga “Los Blancos”.
























