Prishtina ka fituar me rikthim ndaj Drenicës me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Afrim Tovërlanit ka shijuar fitoren pas gjashtë ndeshjeve, duke mposhtur Drenicën në xhiron e fundit të edicionit vjeshtor.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta, por vetëm mysafirët arritën ta tundin rrjetën.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 32-të me anë të Ronaldo Chacon, i cili shënoi nga penalltia për epërsinë 0-1.

Në pjesën e dytë, Prishtina u lëshua furishëm në kërkim të rikthimit dhe pas shumë rasteve arritën t’i shënojnë edhe dy gola të cilat ia sjellën tri pikët e para nën drejtimin e Tovërlanit.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 59-të me anë të Ramiz Bytyqit, i cili shënoi për barazimin 1-1, teksa Mario Ilievski në minutën e 78-të shënoi golin e fitores së madhe 2-1.

Pas kësaj fitore, kryeqytetasit ngjiten në pozitën e dytë me 30 pikë apo dy më pak se Ballkani lider, ndërsa Drenica zë vendin e tetë me 20 pikë.

Prishtina ka edhe një ndeshje më pak të luajtur ndaj Dritës, të cilën pritet ta zhvilloj në mesjavë.

Related Posts