Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Pjetrashan të Gjakovës, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 19:20, në rrugën “Mark Palusha”, në afërsi të restorantit “Kurora”. Sipas informatave, dyshohet se persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri, duke plagosur viktimën J.N., të lindur në vitin 32 vjeçar.
Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar tri plagë në të dy këmbët dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku ka pranuar tretman mjekësor. Burimet mjekësore bëjnë të ditur se ai është jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit rajonalë, forenzika si dhe prokurori kujdestar për krime të rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë”.
Të dyshuarit për këtë rast janë ende të paidentifikuar dhe ndodhen në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e tyre janë në vazhdim.
























