Vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e nga 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka nxitur reagime dhe akuza për manipulim e blerje votash.
Analistja Afërdita Maliqi e ka cilësuar këtë veprim si manipulim të qytetarëve, duke thënë se ndarja e mjeteve financiare në prag të zgjedhjeve është e motivuar politikisht.
“Nëse thotë ‘votoni më 28 dhjetor dhe më 29 dhjetor i keni 100 euro në konto”, a nuk është kjo blerje votash dhe manipulim i qytetarëve?”, ka deklaruar Maliqi në emisionin “Ora 7”.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe analisti Avni Arifi, i cili në Klan Kosova ka theksuar se kjo është një praktikë e përdorur shpesh nga qeveritë në prag të zgjedhjeve.
“Është një strategji e përdorur shpesh nga çdo qeveri që i afrohet zgjedhjeve. Ky është një përdorim i buxhetit të shtetit për të fituar mbështetje politike dhe për të blerë vota. Këto para janë të qytetarëve të Kosovës dhe, për fat të keq, lajmin mbrëmë gjysma e Kosovës nuk e ka marrë vesh se nuk ka pasur rrymë”, tha Arifi.
Ndryshe nga këto qëndrime, gazetari Vullnet Krasniqi nuk e sheh ndarjen e 100 eurove si blerje votash.
“Nëse flasim me logjikën e blerjes së votës, nuk mundesh me shku sot me marrë mallin dhe pastaj me ia dhënë paratë”, ka deklaruar Krasniqi.
























