Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar punimet në segmentin Kërpimeh–Bajgorë–Mitrovicë të rrugës rajonale R129, ku projekti, sipas ministrisë, po i afrohet përfundimit.
Në një njoftim për media, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bëri të ditur se segmenti ka një gjatësi prej 6.67 kilometrash dhe vlerë investimi prej 4.17 milionë euro.
Sipas ministrisë, projekti do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset.
Ministria thekson se kjo rrugë për vite me radhë ka qenë në gjendje të rënduar, me dëmtime të shumta që vështirësonin qarkullimin, ndërsa tani segmenti është rehabilituar sipas standardeve moderne, me mure mbrojtëse, sinjalizim horizontal dhe vertikal, si dhe elemente të tjera që rrisin sigurinë në komunikacion.
Sipas njoftimit, përfundimi i projektit pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit, të përmirësojë ndërlidhjen ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, si dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe qarkullimin e mallrave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për sigurimin e financimit të fazave të ardhshme të projektit, përfshirë rehabilitimin e tuneleve dhe përfundimin e segmentit të mbetur në hyrje të Mitrovicës, me synim kompletimin e të gjithë aksit rrugor sipas standardeve bashkëkohore.




















