Kosova dhe Shqipëria renditen ndër vendet kryesore nga të cilat qytetarët kanë aplikuar për bashkim familjar në Gjermani gjatë këtij viti, pavarësisht se procedurat janë bërë dukshëm më të vështira.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme gjermane, të raportuara së fundmi, vetëm deri në fund të nëntorit janë dhënë gjithsej 101.756 viza për bashkim familjar për pesë kombësitë me numrin më të lartë të aplikimeve.
Në këtë listë kryesojnë shtetasit turq me 14.907 viza dhe sirianët me 13.148, të ndjekur nga qytetarë të Indisë (9.286), Kosovës (7.143) dhe Shqipërisë (4.426). Këto shifra tregojnë se, megjithë shtrëngimin e politikave të imigracionit nga qeveria gjermane e koalicionit CDU/CSU dhe SPD, kërkesa për bashkim familjar mbetet e lartë.
E drejta për bashkim familjar në Gjermani, në parim, kufizohet te familja bazë, pra bashkëshortët dhe fëmijët e mitur.























