Ekipet e numërimit të votave do t’u duhet t’i rinumërojnë edhe 1 mijë e 947 vendvotime gjatë ditëve në vazhdim, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ky proces pritet të përfundojë për 14 ditë.
Pas vendimit për rinumërim total, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se cila është gjendja aktuale e vendvotimeve të rinumëruara deri më tani dhe ato që do të përfshihen në rinumërim pas vendimit të fundt të KQZ-së.
“Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”, tha Elezi.
Ai tha se në QNR janë shtuar kapacitetet dhe se rinumërimit i 1,947 vendvotimee mund të marrë kohë nga 12 – 14 ditë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha Elezi.
Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotieve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.
























