Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur që Granit Xhaka dhe Breel Embolo të rikthehen në përfaqësuesen e Zvicrës për grumbullimin e ardhshëm, në muajin nëntor.

Të dy futbollistët kishin munguar së fundmi pas skandaleve të lidhura me shkeljen e rregullave për COVID-19. Sipas raportimeve, kapiteni Xhaka kishte siguruar certifikata të falsifikuara vaksinimi, ndërsa sulmuesi Embolo kishte blerë një certifikatë të falsifikuar udhëtimi.

Federata bëri të ditur se i ka shqyrtuar me kujdes rrethanat e të dyja rasteve dhe ka vlerësuar se rikthimi i tyre në ekipin kombëtar është i arsyeshëm.

“Jemi të bindur se një rikthim në ekipin kombëtar në nëntor është i përgjegjshëm dhe i përshtatshëm”, deklaroi drejtori i përfaqësueses zvicerane, Pierluigi Tami.

Po ashtu, federata konfirmoi se Xhaka do ta mbajë shiritin e kapitenit.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të ndara në mesin e tifozëve. Një anketë e publikuar nga gazeta zvicerane Blick, ku morën pjesë më shumë se 5 mijë e 600 lexues, tregon se 54 për qind e tyre janë kundër rikthimit të Xhakës dhe Embolos. Sipas këtij grupi, federata është dashur të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj dy futbollistëve.

Në anën tjetër, 46 për qind e pjesëmarrësve e mbështesin vendimin, duke e konsideruar Xhakën si një lojtar të rëndësishëm për përfaqësuesen zvicerane.

Debati është zhvendosur edhe në seksionin e komenteve, ku disa lexues kanë kritikuar ashpër vendimin e federatës.

Antoine Jeremy Etalon ka vlerësuar se asnjëri prej dy futbollistëve nuk duhet të lejohet të luajë më për përfaqësuesen, ndërsa Markus Spengler e ka cilësuar federatën si “shumë frikacake” për të pezulluar Xhakën dhe Embolon.

Edhe Jean-François Linder ka rikujtuar deklaratat e mëparshme të Xhakës, duke vënë në pikëpyetje nëse futbollisti e ka marrë realisht përgjegjësinë për veprimet e tij.

Ndërkohë, Abigail Muller ka ngritur shqetësimin për mesazhin që ky vendim mund t’u përcjellë futbollistëve të rinj. Në të njëjtën linjë, Maurizio Trevisan ka argumentuar se dy lojtarët është dashur të pezulloheshin për disa vite, pasi, sipas tij, nuk përbëjnë shembull të mirë për tifozët e rinj.

Michael Stettler ka pranuar se vendimi mund të ketë kuptim nga këndvështrimi sportiv, por ka theksuar se ai mund të mos pritet mirë nga një pjesë e publikut zviceran. Edhe Tom Scherrer ka kërkuar pasoja më të ashpra për sjellje të tilla.

Megjithatë, jo të gjithë janë kundër rikthimit të dy futbollistëve. Jurg Egli e ka mbështetur vendimin e federatës, duke i cilësuar Xhakën dhe Embolon si lojtarë të rëndësishëm për ekipin, pavarësisht gabimeve të tyre.

Në favor të rikthimit janë shprehur edhe Andy Zimmermann dhe Albert Meier, të cilët e kanë konsideruar vendimin të drejtë.

Ndërkaq, Christoph Jost ka argumentuar se dy futbollistët tashmë janë përballur me sistemin e drejtësisë dhe se çështja duhet të mbyllet me kaq. Edhe Daniel Meier ka shprehur mendimin se, pasi janë ndëshkuar, Xhaka dhe Embolo duhet të lejohen të vazhdojnë me përfaqësuesen.

Vendimi i federatës, megjithatë, vazhdon të ndajë opinionin publik në Zvicër, mes atyre që e shohin rikthimin si një vendim të arsyeshëm nga ana sportive dhe atyre që kërkojnë masa më të rrepta për shkeljet e kryera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts