Është arrestuar në Tiranë një 52-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se më 5 tetor të vitit 2007 në fshatin Kopanica, ka vrarë me armë zjarri tre persona.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

“Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit B. Sh, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut”, thuhet në njoftim.

Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Bëhet e ditur se gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Related Posts