Raundi i ri i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që pritet të zhvillohet të premten në Oman, nis në një klimë pasigurie, pasi administrata e presidentit Donald Trump po hyn në negociata me kërkesa të gjera dhe të ashpra, ndërsa strategjia amerikane mbetet e paqartë, sipas analistëve.

Bisedimet janë të parat që nga sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor dhe vijnë pas përshkallëzimit të tensioneve, sanksioneve të reja dhe kërcënimeve të përsëritura ushtarake nga Uashingtoni, raporton “Al Jazeera”.

Përveç kufizimit të programit bërthamor, ShBA kërkon përfshirjen në negociata edhe të programit balistik iranian, mbështetjes për grupet aleate në rajon dhe çështjeve të të drejtave të njeriut. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se pa këto elemente nuk mund të ketë një marrëveshje domethënëse.

Presidenti Trump ka dhënë sinjale kontradiktore, duke kërcënuar Iranin me pasoja të rënda, por njëkohësisht duke thënë se synon kryesisht ndalimin e armëve bërthamore dhe represionit ndaj protestuesve.

Analistët paralajmërojnë se qëndrimi maksimalist i ShBA-së mund të minojë bisedimet, veçanërisht pasi Irani e konsideron programin e raketave balistike si vijë të kuqe për sigurinë dhe sovranitetin e tij. Teherani ka sinjalizuar gatishmëri për diplomaci, por ka paralajmëruar se çdo sulm tjetër mund të çojë në një konflikt rajonal.

Related Posts