Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e ka paralajmëruar Qeverinë se mund të ketë grevë.
Përmes një komunikate për media, SBASHK-u thotë se ky paralajmërim nuk është as shantazh e as kërcënim, por paralajmërim me kohë, se mund të ketë grevë.
“SBASHK në takimet e shumta me Ministren Nagavci ka shprehur gatishmërinë për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe ngritjes së vazhdueshme të cilësisë. Ka kërkuar SBASHK nga Ministrja që të ngrit në Qeveri kërkesën që të ndahet buxhet për të pajisur shkollat me mjete të punës për shekullin 21 në mënyrë që të zëvendësohet shkumësi e shpuza me lop top e projektorë. Kemi ngritur zërin në këto takime edhe për trajnimet dhe kemi tejkaluar edhe pritjet tona duke organizuar , pa ndihmën e askujt, trajnime me mësimdhënës nga e tërë Kosova , aktivitet në të cilin kanë marrë pjesë 5000 punëtorë të arsimit”, thuhet në deklaratën e SBASHK-ut.
Tutje, SBASHK-u thotë se i ka kërkuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, të kërkojë nga Qeveria Kurti që të kryhet obligimi ndaj 400 punetorëve te arsimit me sëmundje të rënda, duke siguruar mjete buxhetore dhe duke i liruar nga procesi mësimor për një vit.