Haxhiaj: Qeveria Kurti pagoi shtesat për ushtarët e FSK-së vetëm për 5 muaj, para zgjedhjeve 2025

Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po kërkojnë të drejtat e tyre financiare në gjykatë, pasi pretendojnë se nuk janë paguar për punën jashtë orarit, kujdestaritë, punën gjatë natës dhe angazhimet në ditë festash e pushimi.

Avokati Agim Haxhija, i cili përfaqëson një numër të madh pjesëtarësh të FSK-së, konfirmon se numri i padive tashmë ka kaluar shifrën treshe dhe interesimi për procedura gjyqësore po vazhdon të rritet. Sipas tij, bëhet fjalë për pagesa që parashihen qartë me Ligjin e Punës, Ligjin e Pagave dhe aktet nënligjore që rregullojnë kompensimin për orët shtesë, punën gjatë natës dhe angazhimet në ditë pushimi.

Haxhija thotë se padi janë dorëzuar në disa gjykata në Kosovë. Disa raste tashmë kanë hyrë në procedurë shqyrtimi, ndërsa të tjera pritet të trajtohen në muajt në vijim. Ai shton se raste të ngjashme në institucione të tjera publike kanë përfunduar me vendime në favor të punëtorëve, çka sipas tij rrit gjasat që edhe pjesëtarët e FSK-së t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Një pjesë e problemit, sipas avokatit, lidhet me faktin se pagesat për këto shtesa janë bërë vetëm për një periudhë të shkurtër gjatë vitit 2024. Ai thekson se vetë fakti që pagesat janë bërë për një periudhë tregon se obligimi është pranuar, ndërsa ndërprerja e tyre ka detyruar shumë pjesëtarë të kërkojnë të drejtat në gjykatë.

Avokati paralajmëron se zvarritja e realizimit të këtyre të drejtave mund të ndikojë negativisht në motivimin e pjesëtarëve të FSK-së. Sipas tij, pakënaqësia e stafit mund të çojë edhe në largime nga shërbimi, gjë që i kushton shtetit, duke pasur parasysh investimet e mëdha në trajnim dhe përgatitje profesionale të kuadrove.

Related Posts