Mjekja që i ka lëshuar Granit Xhakës certifikatën e kontestuar të vaksinimit kundër COVID-19, Andrea L. (54), këmbëngul se futbollisti është vaksinuar dhe se certifikata e tij përputhet me vaksinimin e kryer.
Në një deklaratë për “Blick”, mjekja ka thënë: “E kam vaksinuar atë siç duhet.”
Deklarata e saj vjen pasi Xhaka ka pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi në vitin 2022, ndërsa ndaj tij është hapur hetim penal për dyshime lidhur me falsifikimin e dokumentit dhe mundësinë që ai ta ketë marrë atë në mënyrë të parregullt.
Fillimisht, rrethi i Xhakës i kishte mohuar akuzat. Zëdhënësi i tij, Andreas Bantel, kishte deklaruar: “Ai ka konfirmim nga mjekja e tij trajtuese se ka marrë vaksinën e parë kundër Covid-it më 25 janar 2022 dhe të dytën më 11 nëntor 2022.”
Më vonë, Bantel e korrigjoi datën e vaksinimit të dytë, duke thënë se ai ishte kryer më 8 nëntor.
Të hënën, Xhaka e pranoi se kishte marrë një certifikatë vaksinimi dhe tha se në atë kohë kishte pasur frikë dhe pasiguri lidhur me vaksinën.
“Ndjeva mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria. Në këtë gjendje të turbullt emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi në vend që t’u jepja përgjigje pyetjeve të mia të hapura përmes rrugëve zyrtare. Sot e shoh qartë se kjo ishte rruga e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq.”
Megjithatë, mjekja Andrea L. këmbëngul se vaksinimi është kryer dhe se certifikata që ajo i ka lëshuar futbollistit përputhet me të vërtetën.
Blick e ka takuar mjeken të martën në ordinancën e saj në Luzern, e cila, sipas saj, vazhdon të jetë e hapur dhe funksionale.
Andrea L. e ka pritur gazetën për një bisedë të shkurtër në dhomën e ekzaminimit. Në mur ishin të ekspozuara diplomat e saj. Ajo e ka marrë licencën mjekësore në Gjermani dhe doktoraturën në Zvicër.
Mjekja, e cila dukej e stresuar dhe e lodhur, ka lejuar që Blick ta publikojë fotografinë e saj të plotë, por ka kërkuar që mbiemri i saj të shkurtohet.
“Ngjarjet e ditëve të fundit janë sa befasuese, aq edhe stresuese,” thotë ajo. “Shpresoj që gjithçka të zgjidhet së shpejti pozitivisht.”
Ajo ka mohuar gjithashtu raportimet se ordinanca e saj është mbyllur.
“Unë jam ende në dispozicion për pacientët e mi; ordinanca është, natyrisht, e hapur.”
Sipas saj, ajo vazhdon të marrë telefonata nga pacientët dhe të caktojë takime urgjente. Mjekja thotë se ka punuar në këtë ordinancë prej 15 vitesh pa marrë asnjë ditë pushim.
“Edhe gjatë pauzës së drekës.”
Andrea L. ka treguar edhe përvojën e saj gjatë pandemisë së koronavirusit. Ajo ka nisur të vaksinojë kundër COVID-19 në vitin 2021, së bashku me një farmacist të njohur.
“Granit Xhaka na kontaktoi në fillim të vitit 2022 për të marrë një certifikatë Covid-i.”
Sipas saj, Xhaka kishte raportuar se ishte infektuar më parë me COVID-19, në fillim të vitit 2021.
“Meqenëse ai kishte tashmë antitrupa, vaksinimi i parë ishte planifikuar si dozë përforcuese,” shpjegoi mjekja.
Ajo ka thënë se për këtë arsye mjaftonte vetëm një vaksinim dhe më pas i kishte lëshuar Xhakës certifikatën. Sipas Andrea L., nevojitej vetëm një vaksinim për certifikatën dhe ky vaksinim, sipas saj, është kryer.
Andrea L. ka theksuar gjithashtu se nuk ka qenë kundër vaksinimit dhe ka folur për përvojën e saj profesionale gjatë pandemisë.
“Shkalla ime e shërimit dhe e mbijetesës për pacientët me Covid ishte 100 për qind. Kam punuar gjatë gjithë pandemisë. Shumë ordinanca ishin të mbyllura në atë kohë.”
Ajo ka thënë se ordinanca e saj është inspektuar dhe miratuar rregullisht nga mjeku kantonak dhe farmacisti kantonak gjatë periudhës së pandemisë.
Mjekja është distancuar edhe nga lëvizja kundër vaksinave.
“Isha ndër personat e parë që u vaksinova në Luzern. E trajtova Covid-in me respekt të madh. Nuk isha skeptike ndaj vaksinave,” thotë ajo.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Blick”, policia e kishte bastisur ordinancën e saj në vitin 2023 dhe kishte konfiskuar prova.
Sipas raportimit, kjo kishte ardhur pas një kallëzimi penal të bërë nga një kompani e sigurimeve shëndetësore, e cila pretendonte se mjekja u kishte shitur pacientëve më shumë barna sesa lejohej.
Gjatë kontrollit, policia kishte zbuluar dosje të ndryshme të COVID-19. Njëra prej tyre mbante emrin e Granit Xhakës.




















