Një nga tre kosovarët që humbën jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Vjenë, Asllan Musliu, është përcjellë për në banesën e fundit me nderime të larta ushtarake në Prizren.
Musliu kishte një të kaluar të lavdishme si luftëtar i lirisë.
Në moshën 22-vjeçare, ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qëndruar aktiv deri në çlirimin e vendit.

Ai kontribuoi në një nga periudhat më të rëndësishme historike për Kosovën, si pjesë e Drejtimit Taktik Nr. 2 gjatë operacionit “Shigjeta”, në betejën e Pashtrikut.
Pas përfundimit të luftës, Musliu vazhdoi shërbimin ndaj vendit si rreshter në Batalionin Gardist pranë Z2M të TMK-së, duke mbetur i përkushtuar ndaj institucioneve të sigurisë.
Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim, në Vjenë, larg atdheut, ku edhe humbi jetën në rrethana tragjike gjatë punës në ndërtimtari. Vdekja e tij ka prekur thellë familjen, bashkëluftëtarët dhe gjithë komunitetin.






















