Derisa sot bëhen thirrje për solidaritet e kujdes ndaj njëri-tjetrit, brenda shumë shtëpive kosovare fëmijë, gra e burra vit pas viti raportojnë për dhunë në familje. Andaj thirrjet për paqe vlerësohet se duhet të fokusohen në ndihmë të viktimave të dhunës dhe luftim të kësaj dukurie. Mbi 2.800 persona raportuan për dhunë në familje vitin e kaluar, 216 prej viktimave ishin fëmijë.

Brenda mureve të shtëpisë, aty ku duhet të ndihen të sigurt, mijëra fëmijë, gra e burra vit pas viti bëhen viktima të dhunës. Një pjesë e tyre kërkojnë ndihmën e shtetit, e disa nën frikë vendosin të heshtin. Rasti i fundit në Lipjan, ku një 5-vjeçar u keqtrajtua nga prindërit, ka nxitur reagime të shumta në vend. Megjithatë, të dhënat e Policisë së Kosovës dërguar RTK-së flasin për 216 fëmijë tjerë nën moshën 18-vjeçare të cilët kanë raportuar dhunën në familje vetëm gjatë 2025-tës. Ndërkaq, gjithsej 2 mijë e 836 fëmijë, gra e burra raportuan për dhunë në familje vitin e kaluar.

Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rënie, nga 2,547 sa ishin në vitin 2024 në 2,509 në vitin 2025, ku vërehet një rënie për -1.49%, ka bërë të ditur policia.

Sociologët në vend tregojnë se cilat janë shkaqet që çojnë te dhuna në familje.

“Në qoftë se tek unë si i ri është ushtruar dhunë, atëherë si prind edhe unë kam predispozita të jem dhunues. Pastaj ndikojnë problemet e ndryshme sociale apo ekonomike ekzistenciale, të cilat krijojnë plasaritje dhe problematika të ndryshme familjare. Dhe në qoftë se ato nuk mund të përshtaten me apo të zgjidhen shumë lehtë shfaqet edhe dhuna. Në anën tjetër kemi edhe probleme të ndryshme patologjike, siç ishte rasti me nënën në rastin e fëmijës në Lipjan, që kishte probleme të ndryshme psikologjike”, tha Genc Xërxa.

Ai thotë se shoqëria dhe shteti duhet reagojnë në rastet kur prindërimi nuk e kryen detyrën e vet.

“Duhet edhe shoqëria të interesohet dhe t’i dijë mekanizmat se si funskionojnë drejt kujdesit, në ato momente kur prindërimi çalon dhe nuk mund ta kryejë atë detyrën e vet humane dhe ligjore , të cilën e ka, atëherë duhet të dijë mekanizmat drejt kujdesit që ia bëjnë institucionet relevante qoftë fëmijës apo  strehimit të tyre dhe mirëmbajtjes së shëndetit e mirëqenies së tyre”, shtoi Xërxa.

Pas rastit në Lipjan, njohës të sigurisë thonë se familja dhe institucionet kanë dështuar në parandalimin e rasteve të dhunës.

Duhet të kemi preventiv për parandalim. Dhe kush e bën preventivën për parandalim? Entet sociale, pastaj ata e alarmojnë policinë dhe pastaj policia tek pastaj reagon. Nuk mundet policia çdo ditë të javës ta ruaj 24 orë dhe 7 ditë të javës çdo shtëpi të Kosovës. Institucionet janë të ndara”, tha Arben Dashevci, njohës i sigurisë.

Sipas zyrës së UNICEF-it në Kosovë, dhuna ndaj fëmijëve lë pasoja afatgjate tek ta, andaj duhet të forcohen sistemet mbrojtëse të tyre.

“Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve”, thotë zyra e UNICEF-it.

Ndërkohë, katër raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm të enjten në Kosovë./rtk

Related Posts