Një gjykatë në shtetin e New Mexico ka vendosur që kompania Meta të paguajë 375 milionë dollarë, pasi u gjet e përgjegjshme për mashtrimin e përdoruesve lidhur me sigurinë e platformave të saj për fëmijë.
Një juri vendosi se Meta, pronare e platformave si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ka rrezikuar të miturit duke i ekspozuar ata ndaj përmbajtjeve seksuale dhe kontakteve me persona të rrezikshëm.
Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s, Raul Torrez, e cilësoi vendimin si “historik”, duke theksuar se kjo është hera e parë që një shtet fiton një çështje të tillë kundër kompanisë.
Meta, e drejtuar nga CEO Mark Zuckerberg, nuk është dakord me vendimin dhe ka njoftuar se do ta apelojë. Një zëdhënëse e kompanisë deklaroi: “Ne kemi punuar vazhdimisht për të përmirësuar sigurinë e përdoruesve dhe për të luftuar përmbajtjen e dëmshme”.
Gjatë procesit gjyqësor shtatëjavor, juria shqyrtoi dokumente të brendshme dhe dëshmi që tregonin se kompania ishte në dijeni të rreziqeve nga grabitqarët seksualë në platformat e saj. Juria arriti në përfundimin se Meta kishte shkelur ligjin e shtetit për praktikat e padrejta, duke mashtruar publikun për sigurinë e platformave të saj për të rinjtë.






















