Kryeministri Albin Kurti është zotuar se ka nisur punën për rritjen e pagës minimale.
“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme.
Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, shkroi Kurti.
Si hap i parë, thotë Kurti, është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike.
“Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, përfundoi Kurti.