Njësitë policore të Policisë së Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Jugu kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme të cigareve elektronike (Vape).
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aktiviteteve operative në terren është identifikuar një automjet i dyshuar që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës. Automjeti, që drejtohej nga një shtetas serb, është ndaluar në magjistralen Bujanoc–Gjilan.
Gjatë kontrollit të detajuar, njësitë policore kanë zbuluar mallra të kontrabanduara, përkatësisht:
CROWN Bar – 50 copë
VOZOL – 120 copë
AIRMEZ Fox – 100 copë
VOZOL – 5 copë
Në total, janë sekuestruar 275 copë produkte, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përcjellës.
Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për veprën penale “kontrabandim me mallra”, ndërsa malli i sekuestruar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe të gjitha veprimtarive të kundërligjshme, duke riafirmuar vendosmërinë për të vepruar me efikasitet në parandalimin dhe goditjen e tyre.






















