Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një reagim publik për të sqaruar legjislacionin në lidhje me përdorimin e xhamave të errët në automjete.
Sipas MPB-së, përdorimi i xhamave të errët është “i rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht me nenin 7 të këtij udhëzimi.”
Ministria sqaron se lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet “që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi.” Vendosja e letrës ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që mund të lejohet vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkesës së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës.





















