Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur në Orlando të ShBA-së, ku një autobus i shkollës i mbushur me nxënës është përplasur me një tren.

Shkaktare e kësaj ngjarje dyshohet se është shoferja 67 vjeçare, Yvnone Hampton, e cila edhe është arrestuar.

Siç raportojnë mediat amerikane, në atë moment brenda autobusit ndodheshin 29 nxënës dhe dy të rritur, që fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz por shkaktoi panik të madhe në mesin e fëmijëve.

Në pamjet e publikuara, tregohen çastet dramatike brenda autobusit, ku nxënësit dëgjohen duke bërtitur nga frika, ndërsa pak sekonda para përplasjes shoferja dëgjohet duke thënë: “Nuk do të ndalem për asnjë tren”.

Sipas Drejtorit të Distriktit Shkollor të Qarkut Sumter, aksidenti mund të kishte përfunduar në tragjedi. “Dallimi ishte vetëm disa centimetra, mund të kishim folur për një katastrofë”, u shpreh ai.

Pas incidentit, Hampton u pushua menjëherë nga puna dhe u akuzua për 29 raste neglizhence ndaj fëmijëve, si dhe për shkelje të rregullave të sigurisë në kalimet hekurudhore.

Një nga nxënëset që ndodhej në autobus deklaroi për mediat lokale se përjetoi momente tmerri. “Isha e frikësuar, sepse e vetmja gjë që shihja ishte treni që po përplasej me autobusin”, tha ajo.

Related Posts