Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ka hyrë në historinë e RCD Mallorcas, pasi realizoi dy gola në fitoren 3:0 ndaj Rayo Vallecano, duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në La Liga dhe duke kaluar legjendën Samuel Eto’o.

Pas kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, ka reaguar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka vlerësuar lart kontributin dhe suksesin e sulmuesit kosovar.

“Pirati i Kosovës, Vedati i historisë, kampioni ynë që po shkëlqen në Spanjë! Në emër të të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, në emër të bashkëlojtarëve të ekipit kombëtar dhe në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, i shpreh urimet më të përzemërta kapitenit tonë Vedat Muriqi, për arritjen e jashtëzakonshme, vendosjen e rekordit të golave në klubin e tij RCD Mallorca, në njërën prej ligave më të forta në botë, La Liga të Spanjës!”, thuhet në reagimin e Ademit.

Ai theksoi se puna dhe përkushtimi i Muriqit janë shembull për të gjithë:
“Me përkushtim, punë të palodhshme dhe shpirt luftarak, Vedati po lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij klubi dhe në La Liga, duke qenë golashënuesi më i mirë jo vetëm te Kombëtarja jonë, por edhe te klubi i tij. Tejkalimi i një emri legjendar si Samuel Eto’o e bën këtë arritje edhe më të veçantë.”

Në fund, Ademi nënvizoi rëndësinë që ka Muriqi për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare:
“Me golat dhe paraqitjet e tij, Vedati është kthyer në ambasadorin më të mirë të Kosovës dhe në simbol të krenarisë për vendin tonë.”

Related Posts