Nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas kanë përfunduar me sukses projektin “Promovimi i Vlerave Humane (PVH)”, të organizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës me mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Projekti u përmbyll me organizimin e një klase verore, e cila u vlerësua si një nga nismat më të rëndësishme për nxënësit pjesëmarrës. Një nga rezultatet kryesore ishte renovimi i hapësirës së klasës verore, e cila tashmë është rregulluar dhe mbuluar falë mbështetjes së kompanisë “Al Trade”, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e mësimit dhe aktiviteteve edukative.

Ky projekt u realizua falë angazhimit të desiminatorëve, profesorit Ilir Demaku dhe profesoreshës Ermira Demiqi, të cilët udhëhoqën nxënësit me përkushtim gjatë gjithë procesit.

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, drejtori i shkollës, Naim Doberdolani, përfaqësuesi i kompanisë donatore, Artan Ramaj, si dhe përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Zyra Qendrore dhe dega në Drenas.

Me këtë rast, drejtori i DKA-së, Muhamet Gjoka, falënderoi të gjithë kontribuuesit për realizimin me sukses të projektit. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtori i shkollës, desiminatorët, nxënësit dhe përfaqësuesit institucionalë, të cilët vlerësuan ndikimin pozitiv të këtij projekti në edukimin dhe vetëdijesimin e të rinjve.

Një falënderim i veçantë iu drejtua kompanisë “Al Trade” për kontributin e saj në përmirësimin e hapësirave mësimore, duke u cilësuar si një shembull i mirë i përgjegjësisë sociale dhe mbështetjes për arsimin.

Related Posts