Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut.

 

 

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë masakër mbetën të vrarë 53 civilë shqiptarë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe gra shtatzëna.

Postimi i plotë:

Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Sot, kujtimi për ta ruhet në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur institucionalisht nga Republika e Kosovës. Aty ruhen dëshmi dhe histori familjare që e bëjnë të prekshme përmasën njerëzore të humbjes dhe obligimin tonë për të mos harruar.

Në Korroticë të Poshtme ruhen kujtimet për poetin e fëmijëve Ymer Elshani, i vrarë atë ditë bashkë me më të dashurit e tij.

Në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, civilë të tjerë shqiptarë u vranë dhe trupat e disa prej tyre u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Përkujtimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror. Dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë thelbësore për të vërtetën historike dhe për drejtësinë. Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë.

Me respekt të thellë për të vrarët dhe me solidaritet me familjarët e tyre, riafirmojmë përkushtimin tonë për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenicës!

Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!

Related Posts