Ylli brazilian i Real Madridit, Vinicius Jr, rrezikon të dënohet deri në katër ndeshje pezullim pas ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen e mbrëmshme.
Braziliani u përjashtua pasi, gjatë një aksioni ku shënoi gol, dyshohet se ia tërhoqi flokët kundërshtarit Nathan Saliba. Pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua dhe Vinicius u ndëshkua me karton të kuq, duke protestuar ashpër ndaj vendimit.
Sipas nenit 130 të Kodit Disiplinor të futbollit spanjoll, sjellja e dhunshme gjatë lojës, kur nuk shkakton pasoja dëmtuese apo lëndime, mund të dënohet me pezullim nga një deri në tri ndeshje, ose deri në një muaj.
Ndërkaq, kur veprimi ndodh jashtë aksionit të lojës, në një moment kur lojtari nuk ka mundësi të luajë topin ose kur loja është e ndalur, rregullorja parashikon pezullim nga dy deri në tri ndeshje.
Vendimi përfundimtar do të përcaktojë edhe nëse Vinicius do të jetë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme të Real Madridit.
Një nga shqetësimet kryesore për madrilenët është mundësia që braziliani të mungojë në përballjen ndaj Barcelonës, në “El Clasico”, nëse dënimi përfshin edhe atë ndeshje.


















