Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për statistikat e mirëqenies sociale për muajin mars 2026, duke nxjerrë në pah rritjen e numrit të përfituesve në disa prej skemave kryesore sociale.
Si rritje e numrit të përfituesve janë shtesat për fëmijë ku sipas të dhënave në muajin mars përfituan 404.233 fëmijë me vlerën 14 milionë e 649 mijë e 495 euro.
Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i përfituesve vazhdon të jetë i përqendruar te të moshuarit, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë sociale. Megjithatë, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe programit për shtesat për fëmijë, i cili gjatë këtij muaji ka regjistruar një numër të lartë përfituesish.
Ky program konsiderohet një nga mbështetjet kryesore për familjet, duke synuar lehtësimin e barrës ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në vend.
Raporti gjithashtu përfshin edhe skema të tjera të rëndësishme si pensionet familjare, pensionet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe pensionet e “Trepçës”.



















