Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u demantua nga zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
“Marrë parasysh që qeverisemi nga një pushtet që prodhon vazhdimisht skandale, detyrohemi të trajtojmë me urgjencë skandalin diplomatik nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi”, tha anëtarja e kësaj partie, Sibel Halimi, në një konferencë për media.
“Për më keq, kjo ndodh në kohën kur Kosova me të drejtë kërkon përshpejtimin për anëtarësimin e domosdoshëm të saj në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, u shpreh tutje ajo.
Halimi tha se demantimi nga zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës është një skandal i madh diplomatik, që i kushton rëndë vendit, njofton Klankosova.tv.
“Është një përfaqësim jodinjitoz nga zoti Bislimi, i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit, pikërisht në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha të anëtarësimit pas suspendimit të Rusisë”, tha Halimi.
“Andaj LDK-ja kërkon dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ngase i njëjti nuk është i denjë për ta përfaqësuar vendin tonë në politikën ndërkombëtare, rrjedhimisht, Kosova po e paguan çmimin e paaftësisë së tij”, përfundoi ajo.