Një prej themeluesve të Degës së Vetëvendosjes në Rahovec dhe anëtari i kësaj lëvizjeje që nga viti 2006, Erzen Isma, ka njoftuar se pas 16 viteve aktivitet politik, ka dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje, si rezultat i pakënaqësive që i ka me qeverinë aktuale.
Isma në një njoftim publik në Facebook, ka thënë se Rahoveci po diskriminohet nga Qeveria e Kosovës. Ai është ankuar që vreshtarët e Rahovecit nuk janë përfshirë në pakon e ndihmave nga Ministria e Bujqësisë sikurse sektorët e tjerë të bujqësisë.
Pak ditë më parë, në një konferencë të përbashkët, kryeministri Albin Kurti e ministri i Bujqësisë Faton Peci, njoftuan që do të ndajnë 50 milionë euro për bujqit në kuadër të programit për Pagesa Direkte, mirëpo për vreshtarët nuk ishte paraparë rritje e pagesës dhe ndihmë shtesë.
Një pakënaqësi të ngjashme, e ka shprehur ditë më parë edhe shoqata e vreshtarisë nga Rahoveci “Vreshtari”, e cila është ndarë e pakënaqur me rritjen e përqindjes për përkrahjen e pagesave direkte nga ana e Qeverisë së Kosovës, ku nuk është përmendur e as përfshirë rritja e përkrahjes për sektorin e vreshtarisë.
Isma ka thënë se nuk qëndron i heshtur përballë kësaj padrejtësie.
“Unë, Erzen Isma si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2006 njëherit edhe themelues i degës në Rahovec që nga viti 2010, jap dorëheqje nga të gjitha funksionet e kësaj lëvizje që i kam si nga anëtar i grupit punues po ashtu edhe si anëtar i Lëvizjes për të vetmen arsye: duke e parë që qyteti im po diskriminohet nga Lëvizja pasi që ne si Vreshtarë dhe si bujq nuk jemi pjesë dhe nuk e përbëjmë bujqësinë, nuk mund të qëndroj i heshtur përballë kësaj padrejtësie!”, ka thëksuar ai.
Një tjetër arsye që e ka shtyrë Ismën drejt dorëheqjes, është edhe mungesa e një rahovecasi në qeveri, përkundër që, sipas tij, VV ka mbledhur rreth 11 mijë vota në Rahovec.
“Po ashtu nga 11 mijë vota që i ka marrë Lëvizja në Rahovec, asnjë njeri nga Rahoveci nuk ka një post të Zv.Ministrit/es apo Ministrit/es që i takon me meritë këtij qyteti. Jam zotuar se do të punoj për Rahovecianët por nuk po shoh mbështetje nga bordi i Lëvizjes , andaj me krenari e me bindje nuk e lejoj askush të më shkel”, ka deklaruar Isma.
Në dhjetor të vitit 2021, dorëheqje nga VV dhanë edhe dy aktivistët e vjetër, Azbi Gashi dhe Shqipe Kryeziu, po ashtu bashkëthemelues të degës së Vetëvendosjes në Rahovec në vitin 2010. Ata shprehën pakënaqësi me zhvillimet e brendshme në parti, por edhe me qeverisjen e VV-së në nivel qendror.