Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se deklarimet për zhvillim ekonomik nuk përputhen me gjendjen reale të qytetarëve në Kosovë.
Në një postim në Facebook, ajo tha se vendi po përballet me varfëri të thellë dhe rritje të kostos së jetesës, duke iu referuar të dhënave të institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN.
Sipas saj, inflacioni dhe shtrenjtimi i produkteve bazike kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e standardit jetësor, ndërsa shumë familje po detyrohen të mbështeten në kredi për përballimin e shpenzimeve.
Bajrami shtoi se zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm me rritje nominale të buxhetit, por me përmirësimin real të jetës së qytetarëve dhe fuqizimin e ekonomisë vendore.
Ajo ka bërë thirrje për debat politik mbi programet zhvillimore dhe zgjidhjet për uljen e varfërisë dhe rritjen e mundësive për të rinjtë në vend.











