Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar kërkesën e saj për masë të përkohshme sigurie ndaj ARTMOTION Sh.P.K. lidhur me të drejtat ekskluzive për transmetimin e FIFA World Cup 2026 në Kosovë.
Sipas njoftimit të Telekomit, Gjykata ka ndaluar Artmotionin që të reklamojë, promovojë, shesë apo shpërndajë pako të shërbimeve fikse që mundësojnë përcjelljen e Botërorit 2026 në territorin e Kosovës.
Telekomi i Kosovës ka theksuar se është bartësi dhe transmetuesi i vetëm zyrtar i të drejtave për Kampionatin Botëror 2026 në Republikën e Kosovës, duke shtuar se çdo operator, platformë digjitale apo medium tjetër pa autorizim nuk ka të drejtë të promovojë apo ofrojë përmbajtje që lidhet me këtë ngjarje sportive.
Në reagim, Telekomi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve kabllorë, IPTV-ve, OTT platformave dhe mediave që të përmbahen nga çdo formë reklamimi apo promovimi që mund të krijojë përshtypjen se posedojnë licencë për transmetimin e Botërorit 2026.
Sipas Telekomit, çdo promovim i paautorizuar mund të krijojë konfuzion te konsumatorët dhe të cenojë të drejtat ekskluzive të kompanisë, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj çdo shkeljeje të mundshme.
Në fund, Telekomi i Kosovës deklaroi se mbetet i përkushtuar që qytetarëve t’u ofrojë qasje të ligjshme dhe cilësore në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë.











