Një vajzë e mitur nga fshati Stanoc i Epërm i Vushtrrisë është raportuar e zhdukur, ndërsa familja e saj ka kërkuar ndihmën e Policisë për gjetjen e saj.
Burimet bëjnë me dije se babai i të miturës është paraqitur në polici më 3 qershor, duke raportuar se vajza e tij ishte larguar nga shtëpia një ditë më parë, më 2 qershor, rreth orës 09:00.
Sipas deklarimit të tij, pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar momentin kur e mitura del nga shtëpia dhe më pas hip në një veturë pranë një autolarjeje në zonë, duke vazhduar në drejtim të Prishtinës.
Familjarët kanë arritur të sigurojnë informacione shtesë përmes rrjeteve sociale. Bazuar në komunikimet që e mitura kishte zhvilluar me një shoqe në Snapchat, ajo kishte dërguar një lokacion që dyshohet se ndodhet në afërsi të zonës së “Bill Clintonit” në Prishtinë.
Sipas të dhënave të para të hetimit, e mitura edhe më herët ishte raportuar si person i larguar nga shtëpia.
Policia ka iniciuar rastin si “Person i zhdukur” dhe ka nisur veprimet hetimore për lokalizimin dhe gjetjen e saj.
Hetimet janë duke vazhduar.




















