Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku një efektiv i “Shqiponjave” humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar për drogë.
Rama bëri të ditur se efektivi i rënë në krye të detyrës do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e tij dhe uroi shërim të shpejtë për policin tjetër, i cili mbeti i plagosur gjatë aksionit, shkruan rtsh.al, raporton klankosova.tv.
Ai e cilësoi operacionin të guximshëm për arrestimin e një të shumëkërkuari, i cili prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë duke u fshehur në zonat malore të Korçës.
“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie dhe është plagosur një i dytë. Ndërkohë, pasi hapi zjarr ndaj tyre, u plagos dhe u kap edhe krimineli”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se autori duhet të marrë ndëshkimin maksimal sipas ligjit, ndërsa vlerësoi punën dhe sakrificën e Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit.
“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, shkruan Rama.
Një efektiv i forcës “Shqiponja”, 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.





















