Drenasi vazhdon të mbetet bastioni më i fortë i Partisë Demokratike të Kosovës, por rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë nxjerrë në pah një realitet që nuk mund të anashkalohet: PDK-ja ka humbur rreth 4 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDK-ja kishte siguruar rreth 18 mijë vota në Drenas, ndërsa më 7 qershor mori afro 14 mijë vota, ose afro 4 mijë më pak. Kjo rënie vjen pikërisht në një periudhë kur në publik është promovuar “fuqishëm” uniteti mes kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci, dhe ushtruesit të detyrës së kryetarit të degës së PDK-së, Driton Ajazi.
Gjatë fushatës, Lladrovci deklaronte se “Drenasi ka qenë, është dhe mbetet i bashkuar”, ndërsa Ajazi kishte vendosur objektiv ambicioz prej mbi 20 mijë votash për PDK-në. Në fund, jo vetëm që ky objektiv nuk u arrit, por partia mbeti edhe larg rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.
Rezultati tregon se uniteti i deklaruar në krye të degës nuk ka arritur të mobilizojë bazën në nivelin që pritej. Përkundrazi, duket se një pjesë e elektoratit tradicional të PDK-së ose ka qëndruar në shtëpi, ose nuk është angazhuar me intensitetin e viteve të kaluara.
Pikërisht për këtë arsye, pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor, PDK-ja në Drenas duhet të nisë një reflektim të thellë. Zgjedhjet e brendshme, duke filluar nga nëndegët e deri te strukturat drejtuese, do të duhej të ishin hapi i parë për të matur realisht forcën dhe kontributin e secilit aktivist e funksionar.
Rezultati i 7 qershorit dëshmon se fitimi i komunës me mbi 73 për qind është lajm pozitiv, por humbja e afro 4 mijë votave krahasuar me zgjedhjet e kaluara është një sinjal alarmi që nuk mund të fshihet pas përqindjeve. Nëse PDK-ja dëshiron ta ruajë Drenasin si bastion të padiskutueshëm, duhet të identifikojë arsyet e kësaj rënieje dhe të ndajë përgjegjësitë aty ku ato ekzistojnë.
Në politikë, fitoret festohen, por humbja e mijëra votave analizohet. Dhe pikërisht ky duhet të jetë diskutimi kryesor në PDK-në e Drenasit pas 7 qershorit.



















